Zhvillimi i territorit të bashkisë Pogradec në vite

Zbulimet e bëra nga gërmimet arkeologjike tregojnë se treva e Pogradecit ka qenë e banuar që në kohët e lashta. Kjo trevë përmendet historikisht për pozitën e favorshme gjeografike, për pasuritë dhe bukuritë e saj. Mendohet se popullsia e ka zanafillën në periudhën e neolitit të hershëm (6000 p.k) e cila dëshmohet me vendbanimet palafite (shtëpi druri të ndërtuara me hunj mbi liqen).

Gjatë periudhave të bakrit dhe bronzit numri i vendbanimeve u rrit së tepërmi. Dëshmitë arkeologjike tregojnë për varre të shumta pranë kishave, të cilat datojnë nga periudha e hekurit, ku edhe emra shqiptarë janë gjetur si: Dasion, Kliti, Genthi etj. Liqeni i Ohrit në atë kohë quhej Lyhnidas (liqeni i dritës) dhë përgjatë tij banonte fis ilir i enkelejdëve.

Sipas historianëve, në këtë trevë u themelua dhe u ngrit një qytet i rëndësishëm jo vetëm për nga ana ekonomike por edhe ajo kulturore. Ky vendbanim mori emrin Enkelena, pikërisht nga fisi i sipërpërmendur. Enkelejtë përmenden për një fis me organizim të rreptë e rigoroz shtetëror dhe ushtarak, si dhe një qytetërim me një kulturë të zhvilluar.

Siç dihet gjerësisht, Iliria pas tri luftërave romake, ra nën sundimin e kësaj të fundit. Megjithatë Enkelena e ruajti zhvillimin e saj falë rrugës ndërkombëtare Egnatia që lidhte Dyrrahun me Kostandinopojën, ku degëzimet përshkronin qytetin dhe Mokrën (sot një fshat në bashkinë e Pogradecit). Më 359, perandoria Romake u nda në dy pjesë, në atë Romake dhe Bizantine. Në këtë të fundit u përfshi dhe Enkelena. Në shekullin e VI filloi pushtimi i rëndë sllav i cili la ndikim edhe në deformimin e emrave. Këtu ndërrohet edhe emir Enkelena në Pogradec (nën kala).

Në fillim të Mesjetës, vendi u quajt Arbëri, mirëpo nuk zgjati shumë dhe u nda në principata. Një ndarje e tillë vijoi deri në pushtimin turk. Porta e Lartë bëri ndarjen e vendit në katër vilajete, ku Pogradeci bënte pjesë në atë të Manastirit, në sanxhakun e Ohrit. Ndarja vazhdoi deri më 1920.

Përgjatë viteve të komunizmit Pogradeci ka qënë një qendër e rëndësishme e turizmit por edhe e industrisë. Ndërtimi i hekurudhës në këtë periudhë përkon me ndërtimin e Minierës së pasurimit të hekur- nikelit në Memelisht të Pogradecit shumë pranë bregut të liqenit.

Në sistemin e shtetit socialist qysh nga viti 1946 Pogradeci ka qenë qendër e Rrethit të Pogradecit dhe në përbërje të qarkut të Korçës. Rrethi i Pogradecit kishte krijuar tashmë, një traditë historike në organizimin administrativ duke pasur në përbërje të tij Fushëgropën e Pogradecit dhe rrethinat e banuara me kufij vendore që i janë përshtatur pozicionimit gjeotopografik dhe relievit duke qënë si nënnjësi kryesore. Ndërkaq krahina e Mokrës edhe pse me tipare të dallueshme e të ndryshme me ato të fushëgropës së Pogradecit ka qënë, gjithashtu, pjesë tradicionale dhe historike e organizimit të pushtetit vendor.

Organizimi i ri administrativ, ka bërë një ndryshim të ndjeshëm në krahasim nga ai i mëparshëm. Kështu, krijimi i Bashkisë së Pogradecit ka në përbërje të tij një territor më të madh, të diversifikuar dhe me më shumë sfida dhe probleme në të.

Kalaja e Pogradecit

kalaja-e-pogradecitKalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit të Pogradecit, me lartësi 205m mbi nivelin e Liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shekullin V para Krishtit, ndërsa në shekullin IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse. Ka pasur një vjetërsi banimi prej 1400 vjetësh, duke qenë një kala iliro-shqiptare e hershme.

Powered by blucompro.net