Veçoritë Fizike dhe Mjedisore

Bashkia e Pogradecit shtrihet në vijën bregore në jug të liqenit të Ohrit, i vendosur përgjatë kodrave në formën e një teatri, shkallaret e të cilit zbresin drejt liqenit. Ka një pozicion fushor në lartësinë 694 m mbi nivelin e detit. Në veriperëndim, Pogradeci zotërohet me pamje e vëzhgim të relievit prej një kodre me lartësi rreth 800 m, ku ka qenë edhe një qendër banimi e hershme e Dasaretisë (Enkelana). Në juglindje  vijon me fushën e Starovës, pas së cilës vijnë sistemi kodrinor rrethues jugor, për gjithë rrethinën e tij. Sistemi rrugor është paralel me vijën kryesore bregore ku veçohen dy prej tyre: njëra si shëtitore e qëndrës, ndërkaq tjetra është përvijim i rrugës që lidh qytetin me Shën Naumin, e përpara tij me qëndrën turistike të Drilonit.

Gjeohapësira e bashkisë Pogradec përbëhet nga disa elementë të relievit si: Fushëgropa e Pogradecit, Krahina e Mokrës, Malësia e Gorës, Kurrizi malor: Maja e Beshenikut – Qafë Thanë, Gjeohapësira kodrinoro- malore : Dardhas- Alarup dhe  qyteti i Pogradecit.

3.1.1.  Fushëgropa e Pogradecit

Fushëgropa e Pogradecit zë në sipërfaqe prej 15.7 km2. Syprina liqenore zë një sipërfaqe prej 98,5 km2.  Ajo ka formën e një trapezi me bazë të vogël në veri : 2,9 km dhe në Jug 7,4 km (Këndi veriperëndimor i Pogradecit deri në Tushemisht). Lartësia e syprinës ujore të liqenit është 694 metër mbi nivelin e detit. Niveli lartësor i fushës fillon nga një “0” relative dhe deri në fillimin kodrinoro-malor shkon në lartësinë ku fillon hipja e relievit për në Qafë Plloçë. Në këtë kufi kodrinor lartësia është 820 metër.

3.1.2.   Hapësira liqenore

Ka një sipërfaqe prej 111,4  km2. Është sa 1/3 e gjithë sipërfaqes së Liqenit të Ohrit. I krijuar rreth 2 milion vjet më parë nga mbushja me ujë e gropës tektonike, Liqeni i Ohrit është i dyti për nga madhësia në Shqipëri pas atij të Shkodrës. Gjerësia e tij në veri, drejt Linit, me vijën kufitare, është 3.6 km ndërsa në bregun Pogradecit, 6.8 km. Duke u larguar nga bregu në largësinë 1.5 km, thellësia arrin 10 m, në 5 km, 100 metër thellësi. Thellësia më e madhe e tij është 255 metra.

KLIMA NË RAJONIN  E POGRADECIT

Pozicioni gjeografik, mbizotërimi i kodrave dhe maleve bën që teritori i bashkisë së Pogradecit të futet në zonën ku dimri është i ftohtë dhe vera e freskët. Rreshjet e pakta bien në formë bore. Klima e rajonit në të cilin bashkia Pogradec gjendet është tipike kontinentale, me verë të nxehtë e të thatë dhe dimër të ftohtë dhe me reshje jo të shumta.

Temperatura  maksimale gjatë verës variojnë 36-38 gradë, temperatura mesatare mujore luhatet nga 20 gradë deri në 24 gradë. Gjatë dimrit bien dhe reshje dëbore, ku në rajonin tonë e përreth trashësia shkon në mbi 0.5m, ndërsa në veri në lartësi të mëdha trashësia shkon deri në mbi 1m. Gjatë vitit në zonën tonë reshjet janë të shumta dhe sasia e tyre mesatare shkon nga 900-1300 mm, dhe më shumë reshje bien në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit. Dëbora fillon të bjerë që në fundin e muajit Nëntor dhe vazhdon në mënyrë jo të qëndrueshme deri në muajin Shkurt. Ky territor, pothuajse gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në periudhën fundi i vjeshtës-fillimi i pranverës rrihet nga erëra të ftohta. Klima e territorit tokësor/ujor të Pogradecit është e tipit kontinental lokal, me një temperaturë mesatare vjetore prej 11.4°C. Temperaturat mesatare mujore arrijnë rreth afërsisht 21.2 gradë në Korrik dhe Gusht, ku maksimumi arrin në gusht me 34.4 gradë. Temperatura mesatare më e ulët është gjatë Janarit, rreth 1.5 °C, me një minimum prej -17.2°C.

Powered by blucompro.net