Bashkia Pogradec në mbështetje të banorëve të Zagorçanit

Qindra banorë të fshatit të Zagorçanit me 2 500 banorë vijuan sërish sot protestën e tyre kundër dhënies me koncension të të gjitha tokave të lira në fshatin e tyre prej 222 hektarësh tokë. Banorët bllokuan për 20 minuta rrugën nacionale Korçë-Pogradec duke kërkuar transparencë nga qeveria. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Eduart Kapri u shpreh se bashkia do të kërkojë të zgjidhë kërkesat e banorëve.

“Me një vendim të padrejtë nga ana e qeverisë i janë hequr 222 hektarë nga zona që u përket banorëve të Zagorçanit. Unë jam në mbështetjen tuaj sepse i di problemet tuaja. Që kur janë ndarë tokat ju keni marrë pak tokë duke e konsideruar tokën në fjalë si një tokë të përbashkët ku mund ta përdornit si kullotë apo për nevojat tuaja. Ju them që bashkinë e keni mbështetje dhe unë jam duke luftuar që kjo padrejtësi të vihet në vend. Në vazhdimësi ka pasur kërkesë që banorët të përdornin këtë tokë. Këto kërkesa janë bërë shumë më herët por në një kohë që sipas reformës territoriale të gjithë territorin duhet ta administrojë bashkia, në të mirë të komunitetit të saj, sot jemi para faktit që jepet me koncension dhe të ardhurat nga ky koncension nuk i merr pushteti vendor që ti investojë për banorët e tij por shkojnë në Ministrinë e Bujqësisë. Unë do të kërkoj që të ecim në mënyrë institucione”, tha Kapri.

Protestes iu bashkua edhe Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun ne Partine Demokratike, Grida Duma e cila u shpreh se ky rast tregon që qeveria nuk bëri reformë territoriale por elektorale. Ajo u shpreh se PD do të jetë politikisht në mbështetje të tyre për të zgjidhur problemin me tokat e fshatit me mbi 2500 banorë.


 

Njoftim per shtyp i Bashkise se Pogradecit, 26 Mars 2016

Powered by blucompro.net